Ruajtja dhe Rijetëzimi i trashëgimisë kulturore është pjesë e rëndësishme e misionit të Institutit të Monumenteve të Kulturës (IMK) dhe një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Kulturës (MK). Ky aktivitet paraqet rezultatet e një bashkëpunimi të ngushtë e të suksesshëm midis Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës (FAU), Universiteti Politeknik i Tiranës (UPT) dhe IMK për evidentimin, njohjen, dhe propozimeve konkrete për rijetëzimin e Fshatit rrënojë të Tragjasit të vjetër. Botimi “Trashëgimi në rrënoja e fshatit të braktisur mesjetar të Tragjasit: Ruajtja dhe rivitalizimi i së harruarës”, me autor Florian Nepravishta, Ledita Mezini, Arta Dollani u realizua me mbështetjen financiare të IMK-së. Ky botim paraqet punën e kryer në kuadrin e kerkimit akademik te FAU te zhvilluar me studentët e vitit të pestë (viti akademik 2015-2016) në bashkëpunim me IMK. Në të propozohet që kjo trashëgimi të mos mbetet si një relike e pashfrytëzuar por e rijetëzuar për një përdorim të dobishëm shoqëror. Aktiviteti do të përfshijë një ekspozitë të FAU mbi projekt propozimet e realizuara nga studentët si dhe promovimin e Botimit të sipërpërmendur. Aktiviteti do të vijojë me diskutime në grupe më të ngushta interesi (specialistë dhe banorë të zonës) mbi mundësitë e zhvillimit në të ardhmen të fshatit rrënojë të Tragjasit.

Koncepti i Rijetëzimit është trajtuar në disa nene të Draft Ligjit për Trashëgiminë Kulturore (TK) për rëndësinë e tij në ruajtjen e qëndrueshme të ndërtimeve dhe siteve të trashëgimisë kulturore. Si i tillë prek një gamë të gjerë interesash e fushash: specialistë të fushës së TK (restaurues të arkitekturës dhe të artit), studentë dhe profesionistë të lirë në arkitekturë, komunitet lokal etj. Gjatë këtij aktiviteti do të diskutohet me grupet e interesit të pranishme, mbi trajtimin e kësaj teme në Draft Ligj dhe mbi vizionin e MK dhe IMK për ruajtjen dhe rijetëzimin e TK.

Në përmbyllje të aktivitetit do të promovohen edhe botimet më të fundit të IMK-së të realizuara gjatë vitit 2017: Revista periodike “Monumentet” Nr. 56 si dhe “Analizë strukturore, Metoda Përforëcuese dhe Teknika të Muraturave në Ndërtesat Historike” – botim i Kursit të Trajnimit me të njëjtin titull.

Ruajtja dhe rijetëzimi i Trashëgimisë Kulturore. Tragjasi i Vjeter