ATELIE RESTAURIMI 2019

mbi

“Konservimin e pikturës murale në kishën e Shën Kostandinit dhe Helenës, Berat, Shqipëri”

 

Instituti i Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri” (IMK),  nëpërmjet Qendrës Rajonale për Konservim dhe Restaurim të Evropës Juglindore organizon në datat 24 qershor – 5 korrik, 2019 Atelienë e Restaurimit 2019 mbi “Konservimin e pikturës murale në kishën e shën Kostandinit dhe Helenës, Berat, Shqipëri”.  Kjo Atelie Restaurimi është projektuar të realizohet në formë trajnimi nëpërmjet realizimit të punës konkrete në konservimin e pikturës murale në këtë kishë dhe ka për qëllim zhvillimin dhe forcimin e njohurive në dokumentimin e pikturës murale, historikun e zhvillimit të pikturës murale në Shqipëri, teknikën e realizimit të pikturave murale, si dhe teknikave të konservimit të pikturës murale.

Piktura murale në Shqipëri është pjesë e pandashme e arkitekturës dhe të dyja këto gjini bashkëjetojnë në unitet të plotë stilistik në objekte të trashëgimisë kulturore që datojnë qysh nga prehistoria me artin shkëmbor e deri në mesjetë me afresket e mrekullueshëm që dekorojnë ndërtime kulti dhe banesa. Piktura murale në kishën e Shën Kostandinit dhe Helenës zë një vend të rëndësishëm në studimin e etapave të zhvillimit të pikturës murale, atelieve artistike që kanë ushtruar aktivitet dhe rrymave artistike mbizotëruese në qytetin e Beratit dhe në territorin e Shqipërisë në përgjithësi.

Kandidatë për aplikim – Thirrja për aplikim në Atelienë e restaurimit i dedikohet 4 (katër) profesionistëve të rinj të Trashëgimisë Kulturore, pjesë e stafit të institucioneve shtetërore të trashëgimisë kulturore në Republikën e Shqipërisë dhe Republikën së Kosovës, profesionistëve të rinj (pjesë e organizatave, enteve restaurues apo të lirë) si dhe studentë të nivelit Master që kanë marrë pjesë në zbatimin e të paktën 1 (një) punim konservimi në pikturë murale nën drejtimin e një restauratori arti të licensuar.

 

Ekspertë të angazhuar – Aktiviteti trajnues (teorik / praktik) do të drejtohet nga ekspertë të pikturës murale të IMK-së me asistencën e specialistëve të pikturës murale të DRKK Berat, si dhe  2 (dy) ekspertë ndërkombëtarë me përvojë në fushën e konservimit të pikturës murale nga Shkolla e Galicia-s për konservimin dhe restaurimin e trashëgimisë kulturore (Pontevedra, Spanjë),  në kuadër të partneritetit të IMK-së në projektin Erasmus + për vitin 2019.

 

 

Aplikimet janë të hapura deri më datën 14 qershor 2019 (ditë e premte). Aplikantët janë të lutur të dërgojnë brenda afatit, pranë adresës training.imk@imk.gov.al, formularin e aplikimit të plotësuar.

Për më tepër informacion shkarkoni thirrjen për aplikim dhe formularin e aplikimit më poshtë.

THIRRJE PER APLIKIM

FORMULAR APLIKIMI

 

By |2019-05-23T07:37:52+00:00May 22nd, 2019|Aktivitete|Comments Off on ATELIE RESTAURIMI 2019

About the Author: