Kulla e Sahatit të Tiranës është monument kulture i kategorisë së I, shpallur me Ligjin nr. 609, datë 24.05.1948. Kjo kullë sahati është pjesë e organizimit urbanistik të qendrës qytetare të mesjetës së vonë të qytetit të Tiranës, krahas tregut (pazarit), ndërtesave administrative, ndërtimeve të kultit (xhami) dhe të tjerave për përdorim shoqëror.

Kulla e Sahatit të Tiranës është ndërtuar në shekullin XIX midis viteve 1822-1840, e njëkohshme me atë të Peqinit dhe të Kavajës. Kjo kullë është e ndërtuar përgjatë një aksi vertikal duke arritur një lartësi të madhe. Baza e saj (kati i parë) është kuadratike dhe pjesa e poshtme e saj zë lartësinë më të madhe ku lëvizin peshat dhe pjesa e sipërme nga ambientet e mekanizmit dhe të këmbanës në pjesën më të lartë. Kulla e sahatit ka një portë të vetme për hyrje.

Pjesa e poshtme është ndërtuar me mure guri të trashë, duke patur shkallë të drunjta që të shpien në ambientet e sipërme. Ndriçimi i saj bëhet me dritare të ngushta si frengji. Mbi të, në një dysheme vendoset mekanizmi i sahatit, në ndonjë rast me fushat e shtuara më vonë (Tiranë, Kavajë). Modifikimi i mekanizmit nga orë matës me tingull në mekanizëm me fushë ore ka sjellë ndryshime në pamjen origjinale të kësaj kulle sahati. Kjo ndërhyrje është bërë në vitin 1928, duke rindërtuar katet e sipërme me fushën që ka sot.

Kulla e Sahatit të Tiranës ka arritur në ditët tona në gjendje të mirë falë edhe ndërhyrjeve konservuese restauruese të ndërmarra në vite. Kulla e Sahatit është pjesë e ansamblit arkitekturor të Xhamisë së Et’hem Beut ngjitur me të.

KULLA_E_SAHATIT,_TIRANË