Kisha e Shën Marisë ndodhet në fshatin Bishqethëm të Lushnjes. Kisha është ndërtuar në vitin 1798, shek. XVIII. Ajo është pikturuar nga piktori i familjes së Çetirëve nga Grabova, Johani. Kisha është një bazilikë trenefshe me hajate në tre anët. Ajo përbëhet nga naosi me ambjentin e altarit, ndërtim i vjetër dhe hajatet në veri, jug dhe perëndim.

Hajati perëndimor është më i gjerë se krahët jugorë dhe veriorë dhe për këtë ka shtylla druri. Mbi çati ngrihet këmbanarja me shtylla druri. Në hajat hyet nga ana perëndimore, veriore dhe jugore me porta mbuluar me hark gjysmë rrethi. Në krahun jugor ka gjithashtu katër dritare. Në naos hyhet nga porta perëndimore me dy dritare dhe nëpër dy porta në anën veriore dhe jugore. Naosi ndahet në tre nefe, nga dy harkada me nga katër kolona secila.

Mbi këto harqe është një mur i ulët që mban strukturën e çatisë dhe tavanin e gdhendur. Naosi ndriçohet nga tre dritare kënddrejtë të mbuluara me arkitra të rrafshët në anën jugore e po aq në atë verioren. Një ikonostas druri ndan naosin nga ambjenti i altarit që përbëhet nga bema, protezisi dhe diakonikoni. Në anën lindore është apsida gjysmë rrethore në brendësi me një dritare të vogël kuadratike e ndërtuar me katër gurë të skuadruar. Në anën e jashtme absida është shtatëfaqëshe, e ndërtuar me një rradhë gurësh të skuadruar e tre rradhë tullash.

Shen_maria_lushnje2