Kisha e Shën Mërisë ndodhet brenda mureve të kalasë së Elbasanit (në anën veriore të saj). Sipas të dhënave të kodikut të familjes Deliana kisha është djegur në vitin 1818. Nga datimi në murin e jashtëm të absidës kuptohet që ajo është rindërtuar në vitin 1833. Kjo kishë është një ndërtim i tipit bazilika tre nefe me mbulesë me tavan prej kubesh gjysme sferike. Në anën perëndimore ndodhet narteksi mbi të cilin është ndërtuar edhe gjinekoniti. Në anën lindore ajo ka tre absida ku ajo qendrorja ka dimensione të konsiderueshme. Në fasadën jugore dhe atë veriore janë bashkangjitur dy hajate të mbuluar me çarti një ujëse mbështetur në murin anësorë (në krahun perëndimorë) dhe mbi një sistem kolonash dhe harqesh guri, në dy anët e tjera. Këmbanarja e kishës është e mëvonshme kjo duket qartë si nga stili i ndërtimit ashtu edhe nga materiali, tullë e kuqe.