Manastiri përfaqëson një ndërtesë impozante mbi kodrën e fshatit Qafë Gjashtë, pozitë e cila i

jepte mundësi të kontrollonte qytetin e Ankiazmit bashkë me portin e tij, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në periudhën e Antikitetit të Vonë. Ai përbën një strukturë drejtkëndore me gjatësi rreth 43 m dhe gjerësi 23 m, brendësia e së cilës është organizuar në shtatë konka të barabarta midis tyre.

Kripta përfaqëson një nga ambientet më interesante dhe enigmatike të Manastirit. Përgjatë

planimetrisë së saj formë patkoi zhvillohen një sërë ambientesh të përmasave të vogla, në të cilat mendohet se kryheshin ritualet e pelegrinazhit. Disa prej këtyre ambienteve imitojnë formën e kapelave, ndërsa përgjatë mureve anësorë (verior dhe jugor) të tyre shtrihen sofate.

Paraprakisht mendohet se sipërfaqja e mureve të kriptës ishte mbuluar tërësisht me pikturë murale, prej së cilës identifikojmë vetëm dy faza të ndryshme. Studimet e deritanishme, të bazuar mbi materialin arkeologjik dhe elementë të pikturës i kanë datuar pikturën murale në periudhën paleokristiane, d. m. th. në shek. V dhe VI (deri në fillimin e shek. VII).