Manastiri i Shën Gjergjit në Demë qëndron në pozitë mbizotëruese mbi kodrën që ngrihet në rripin ndarës tokësor midis Detit Jon dhe Liqenit të Butrintit, në krye të Gadishullit të Ksamilit. Prej ndërtimeve të vjetra të manastirit kanë mbetur dy kisha dhe dy ndërtesa shërbimi, ndërsa pjesa tjetër janë ndërtime të reja. Kisha e manastirit është një nefshe, me përmasa 8,20×5,40 m, me ambiente kryesore naosin, bemën dhe narteksin. Salla e naosit dhe bema janë të ndara nga njëra tjetra nëpërmjet ikonostasit prej guri me tre hyrje. Në bemë ndodhet absida e gjerë dhe niket e protezisit dhe të diakonikonit ndërsa sistemi i pilastrave dhe harqeve në muret gjatësore të naosit e ndajnë hapësirën e tij në tre pjesë. Pjesa qendrore me konfiguracion katror është mbuluar me kupolë mbi tambur, ndërsa dy pjesët anësore janë mbuluar me qemerë cilindrikë. Kompozimi i brendshëm hapësinor është pasqyruar edhe në kompozimin e jashtëm volumor, që spikat për organizimin piramidal. Në qendër tamburi që ngrihet mbi volumin kubik të pjesës qendrore mban kupolën; anash tij, në anën lindore dhe perëndimore, zbresin më poshtë dy volume të mbuluara me çati dyujëse ndërsa më poshtë akoma, në anën lindore del jashtë volumi i absidës.