Manastiri i Ardenicës përfaqëson një nga ndërtimet religjioze më të mëdha të zonës së Myzeqesë. Ai ngrihet në pozitë dominuese mbi një kodër të lartë, nga e cila nga njëra anë vizitori ndeshet me pamjen e gjerë të fushës së Myzeqesë ndërsa në anën tjetër vështrimi shtrihet deri në Adriatik. I pozicionuar midis fshatrave Kolonjë dhe Libofshë ai përbënte një stacion kulmor, në kontakt të vazhdueshëm me marrëdhëniet ekonomike dhe shoqërore të këtyre dy zonave. Në anën perëndimore të kodrës, ku shtrihet manastiri, kalonte dega jugore e rrugës Egnatia, e cila vazhdoi të përdorej edhe në periudhën Mesjetare.

Monumenti paraqet interes jo vetëm për vlerat e tij monumentale, arkitekturore dhe artistike por edhe për historinë e pasur që mbart me vete. Burimet historike bëjnë fjalë për kohën e themelimit të tij në kohën e Despotatit të Epirit, në shek. XIII – XIV. Gojëdhënat e identifikojnë atë si vendin ku është kryer ceremonia martesore e Gjergj Kastriot Skënderbeut në vitin 1451, ndërsa mbishkrimi që mban datën 1 maj 1477 dëshmon për ekzistencën e manastirit në këtë periudhë. Në fakt, ndërhyrjet restauruese që janë bërë në monument në fundin e viteve ’80, tregojnë se manastiri ka njohur disa faza ndërtimi. Burimet historike heshtin për një periudhë më se tre shekullore ndërsa gjatë shek. XVIII ndikimi i manastirit rritet jo vetëm në krahinën përreth por edhe në krahinat e tjera të vendit, si atë të Korçës dhe qendrën tregtare – kulturore të Voskopojës. Manastiri i Ardenicës përfaqëson një ansambël arkitekturor me planimetri trekëndore, me në qendër të tij kishën. Kompleksi përbëhet nga kapela e “Shën Triadhës” në verilindje, Kisha “Fjetja e Shën Mërisë” në jugperëndim të saj dhe konakët përqark tyre, forma planimetrike e të cilave është kushtëzuar nga terreni.

Kapela e Shën Triadhës është një ndërtesë e vogël njënefshe me përmasa 7, 50 x 3, 70 m. Në lindje të saj ndodhet absida, e cila ka formë gjysmë rrethore ndërsa në krahun verior të saj zhvillohet protezisi. Brendësia e kapelës ndriçohet nga dy dritare të vogla në murin jugor dhe nga hyrja, e cila ndodhet në murin perëndimor në të njëjtin aks me absidën. Ajo është trajtuar me mbulesë me hark guri të punuar mirë. Mbulimi i kishës është realizuar me anë të çatisë dyujëse me kallkanë në fasada.

Kisha “Fjetja e Shën Mërisë” paraqitet si një ndërtesë e tipit bazilikal me tre nefe, të cilët ndahen nga njeri tjetri me dy rreshta kolonash prej druri. Sanktuari ose bema ka dysheme rreth 0, 10 m më të lartë se naosi dhe kufizohet prej tij me anë të një ikonostasi prej druri. Absida në murin lindor ka formë gjysmë rrethore me një dritare të ngushtë në mes. Në krahët brenda seksionit të murit zhvillohet protezisi dhe diakonikoni, ndërsa në qendër ndodhet tavolina e altarit. Ambienti i bemës ndriçohet nëpërmjet dy dritareve të vogla në murin lindor, në dy krahët e absidës, dhe me anë të dritares e cila ndodhet në murin verior, pranë linjës së ikonostasit. Naosi ndriçohet nga dritaret e faqeve jugore dhe veriore të mureve, nga katër për secilën anë. Dyshemeja e tij është e shtruar me pllaka drejtkëndore prej guri gëlqeror, e cila ka në qendër një rozetë. Në brendësi të kishës hyhet me anë të dy hyrjeve të vogla në muret veriore dhe jugore si dhe nga porta perëndimore, e cila është më e madhja. Kisha mbulohet nga një tavan i rrafshët dhe çatia prej druri që mbështetet në muret anësorë dhe në kolonat prej druri.

Mjedise të tjera të kishës janë narteksi dykatësh, dhoma e pagëzimit, hajati dykatësh në anën perëndimore dhe ai në jug si dhe kambanorja.

Narteksi i naosit shtrihet përgjatë gjithë gjerësisë së naosit në katin e parë ndërsa në katin e sipërm përfshin edhe oborrin verior. Ai ndahet në tre pjesë me anë të dy arkadave prej guri. Dyshemeja e katit të sipërm është shtruar me pllaka guri ndërsa ajo e katit të poshtëm me gëlqere të përzierë me lesh dhie. Komunikimi i këtij ambienti me mjedisin e jashtëm kryhet me anë të dy portave në faqen jugore dhe perëndimore kurse komunikimi midis dy kateve realizohej me anë të shkallëve prej druri, të cilat zhvillohen në qoshen veriperëndimore. Në nën jugore të narteksit ndodhet dhoma e pagëzimit, e cila përfaqëson një hapësirë njëkatëshe me hyrjen pranë murit perëndimor të narteksit.