Biblioteka e Institutit të Monumenteve të Kulturës

 

Biblioteka e Institutit të Monumenteve të Kulturës është bibliotekë kërkimore shkencore e krijuar që në themelim të Institutit të Monumenteve të Kulturës në vitin 1965.

Kjo Bibliotekë ka në fondin e saj mbi 10.000 tituj librash dhe periodikësh, të cilat mbulojnë të gjitha subjektet e kërkimit shkencor, që lidhet me mbrojtjen, ruajtjen dhe konservimin e qendrave historike dhe monumenteve të arkitekturës popullore dhe atyre të artit, në Shqipëri, e më gjerë.

Biblioteka e Institutit të Monumenteve të Kulturës është e specializuar në fushat e Historisë së Arkitekturës dhe Artit, fushën e Arkeologjisë, të Legjislacionit që lidhet me trashëgiminë kulturore e materiale, fushën e konservimit, ruajtjes, mbrojtjes, etj. duke u bërë pjesë aktive e thellimit të njohurive të punonjësve të Institucionit në këto fusha.

Biblioteka kontribuon  në përgatitjen e revistës “ Monumentet”, e cila, që në numrin e parë të saj në vitin 1971 u konceptua si revistë shkencore, duke plotësuar të gjithë treguesit që kërkon botimi i një reviste të tillë.

Biblioteka e Institutit të Monumenteve të Kulturës shërben si njësia bazë për dhënien e informacionit të duhur bibliografik mbi produktin shkencor të prodhuar në lidhje me problemet e Historisë dhe Artit në Shqipëri e me gjerë, problemet teoriko-metodike të restaurimit në përgjithësi dhe në veçanti për restaurimin e monumenteve të ndryshme në vend.

Biblioteka vë në dispozicion të punës kërkimore të frekuentuesve të saj të brendshëm dhe të jashtëm lista të plota bibliografike për çdo fushë interesi si dhe ofron një database me informacion të plotë dhe të hollësishëm mbi të gjithë artikujt e shkruar mbi arkeologjinë dhe monumentet e kulturës në Shqipëri, nga viti 1945 deri në ditët tona.

Biblioteka u ofron frekuentuesve të saj serinë e plotë të revistës “Monumentet”, që nga numri i parë botuar më 1971, deri te numri i fundit (52), i botuar në vitin 2014.

Biblioteka kryen të gjithë korrespondencën në lidhje me shkëmbimet dhe huazimet e literaturës, brenda dhe jashtë vendit.

Biblioteka e Institutit të Monumenteve të Kulturës mban kontakte të vazhdueshme bashkëpunimi me Bibliotekën Kombëtare, Bibliotekën e Akademisë së Shkencave, Bibliotekën e Qendrës së Studimeve Albanologjike, me qëllim shkëmbimin e literaturës dhe informacionit më të fundit, por edhe thellimit të kualifikimit profesional dhe përftimit të praktikave më të mira në punën e përditshme të menaxhimit të bibliotekës.