Instituti i Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri” IMK

Institucion publik në varësi të Ministrisë së Kulturës i themeluar më 2 Korrik 1965. IMK ka detyrë themelore mbrojtjen, konservimin, restaurimin, rijetëzimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore materiale në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. IMK harton projekte në fushën e trashëgimisë kulturore dhe bashkërendon punën për zbatimin e tyre në nivel kombëtar. IMK harton dhe ndjek zbatimin e standarteve dhe kritereve në fushën e mbrojtjes dhe restaurimit të trashëgimisë kulturore materiale. Harton dhe zbaton programe kualifikimi të specialistëve në fushën e trashëgimisë kulturore.

IMK ka në funksion të tij Këshillin Shkencor (KSH), si organ teknik këshillimor i Këshillit Kombëtar të Restaurimeve (KKR) i cili përbëhet nga personalitete të fushës së trashëgimisë kulturore materiale, brenda dhe jashtë institucionit. IMK shërben si Sekretari Teknike për KKR. IMK ofron shërbime mbi shqyrtimin e kërkesave nga çdo individ apo subjekt i interesuar dhe dhënien e konfirmimit nëse pronat në të cilat kërkohet të bëhet ndërhyrje me karakter ndërtimor janë ose jo në mbrojtje të ligjit Nr. 9048, dt. 07.04.2003 “Për trashëgiminë kulturore” (i ndryshuar), si dhe nga aktet nënligjore në zbatim të tij.